Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj mënyrës se si informacionet nga dosjet hetimore përfundojnë në media, duke deklaruar se përgjegjësia për ruajtjen e sekretit hetimor nuk mund t’u kërkohet gazetarëve.
Në deklaratën e tij, Rama tha se problemi duhet kërkuar brenda sistemit të drejtësisë, ndërsa ngriti akuza se informacione të mbrojtura nga sekreti hetimor u kalohen personave që më pas i bëjnë publike në media.
Sipas kryeministrit, gazetarët apo analistët që publikojnë të dhëna të tilla nuk janë burimi i problemit, pasi përgjegjësinë për ruajtjen e materialeve hetimore e kanë institucionet që i administrojnë ato.
“Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat. Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shkoi më tej, duke pretenduar se persona të caktuar në media përdoren nga prokurorë dhe gjyqtarë për të krijuar paraprakisht perceptimin e fajësisë ndaj personave që janë ende nën hetim apo nuk kanë dalë përpara gjykatës.
“Ata përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi, njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet formalitet”, u shpreh kryeministri.
Rama e cilësoi rrjedhjen e sekretit hetimor si një problem që, sipas tij, buron nga vetë sistemi dhe nuk mund të trajtohet si një fenomen dytësor.
Ai pretendoi se publikimi i materialeve hetimore përdoret në raste të caktuara për të ekspozuar dhe dëmtuar publikisht individë përpara se ndaj tyre të ketë një vendim gjyqësor.
“Ky problem, që nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, nuk mund të anashkalohet”, deklaroi Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në kuadër të reagimit të tij për hetimin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe publikimin e të dhënave të dosjes hetimore.
