Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për ushtrim presioni mbi Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me ankimin e Kryeministrisë për rastin e ministrit Belinda Balluku dhe pezullimin e saj nga Gjykata e Posaçme.

Ai shprehu besimin se gjykata do të marrë një vendim të drejtë dhe do të jetë “në lartësinë e duhur”.

Berisha gjithashtu sfidoi Kryeministrin Edi Rama për një debat publik, ku të diskutohej detajisht për rastet e pezullimeve dhe rekomandimet e Venecias. Ai theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe se çdo përpjekje për të ndikuar në vendimet e gjykatave është një kërcënim për pavarësinë e tyre.

Berisha: Është një moment kritik. Është një moment kur një vendim gjykate do të ishte përcaktues për të shpëtuar Kushtetutën. Hajde dalim sot në media dhe të nxjerr se ku i ka vendimet e Venecias kundër pezullimeve. Hajde shkojmë në debat, dhe të tregojë se ku i ka këto aktet e pezullimit. Pra, unë uroj që Gjykata të mos bjerë viktimë e presioneve të gjithanshme mafioze. Po bëhen presione të jashtëzakonshme, po bëhen ditën. Çdo tezë e vënë nga Rama, nuk është e vërtetë.