Protestuesit kanë mbyllur fjalimet para Kryeministrisë dhe kanë nisur marshimin në kryeqytet. Nën thirrjet “Nesër më shumë” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”, ata finalizuan sot ditën e 54-të të revoltës së tyre.
Përveç kësaj proteste, sot gjatë paradites është zhvilluar edhe një protestë tjetër para Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje. Policia hodhi në drejtim të tyre ujë dhe gazlotsjellës. Pas kësaj, ajo nisi valën e shoqërimeve për në komisariat, ku mes tyre kishte edhe aktivistë dhe gazetarë.
Krahas kundërshtisë për projektin që prek zonën e mbrojtur të Zvërnecit, protestuesit kanë artikuluar një sërë problematikash që lidhen me korrupsionin, keqqeverisjen, si dhe probleme të tjera ekonomiko-sociale. Pjesëmarrësit kanë deklaruar se dorëheqja e Ramës është një kërkesë e panegociueshme dhe se do të vijojnë aksionin qytetar deri në realizimin e kërkesave të tyre.
