Është mbyllur protesta e kësaj të diele në Tiranë, pas disa orësh tubimi përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Edhe reshjet e shiut nuk i kanë ndalur qytetarët, të cilët kanë vijuar qëndrimin në shesh duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës, pjesëmarrësit kanë brohoritur sloganet “Rama jep dorëheqjen” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”. Në shënjestër të thirrjeve kanë qenë edhe efektivët e Policisë së Shtetit, ndaj të cilëve protestuesit kanë drejtuar akuza dhe slogane si “Polici këtu na ke, ti mbron krimin, jo ne” dhe “Polici e krimit”.
Një tjetër thirrje e përsëritur gjatë tubimit ishte “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa nuk munguan as mesazhe të tjera kundër klasës politike.
Në përfundim, protestuesit janë larguar nga zona e Kryeministrisë, duke paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre dhe se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
