Kreu i PD, Sali Berisha, ka komentuar sërish arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si pjesë të një skeme mafioze që përfshin qeverinë e Edi Ramës. Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët këtë të shtunë, Berisha ka theksuar se dosja që çoi në arrestimin e Veliajt ishte një “dosje shtetërore”, që erdhi nga Fieri dhe ishte e lidhur me qeverinë.
Sipas Berishës, Nesti Angoni, një individ që ai e përshkruan si një personazh të lidhur me pushtetin, kishte regjistruar telefonatat dhe survejuar udhëtimet dhe takimet e Erion Veliajt. Berisha shton se Angoni ishte “shteti vetë”, duke kontrolluar komunikimet dhe aktivitetet e Veliajt, përfshirë ato ndërkombëtare, si udhëtimet dhe takimet e tij në Vjenë.
Kreu i PD e cilëson këtë ngjarje si pjesë të një “piramide krimi”, që është, sipas tij, një nga më të mëdhatë në Shqipëri dhe në Europë. Ai thekson gjithashtu se Veliaj nuk ishte ndëshkuar për aferat e tjera, si ajo e 5D, që Berisha i quan modele të vjedhjes së parave publike, duke akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Edi Ramës për mbrojtje të krimit dhe për interesat e klanit mafioz që kontrollon vendin.