Media prestigjioze “New York Times” ka raportuar sot për një rast të pazakontë grumbullimi mbetjesh në brigjet kroate, ku një sasi e madhe mbeturinash – kryesisht të ardhura nga Shqipëria – është zbuluar në zonën e Dubrovnikut.

Sipas zyrtarëve lokalë, rrymat e forta të detit Adriatik kanë nxjerrë në breg rreth një ton mbeturinash gjatë stuhisë së ditëve të fundit. Autoritetet kanë nisur menjëherë pastrimin e zonës dhe mbledhjen e mbetjeve.

Në Kroaci po diskutohen gjithashtu ide për të shfrytëzuar një pjesë të këtyre mbetjeve në projekte riciklimi, në mënyrë që situata e krijuar të kthehet në një mundësi për qëllime mjedisore.

“Mbeturinat e një vendi shpesh përfundojnë në brigjet e një tjetri. Këtë javë, zyrtarët në Dubrovnik të Kroacisë u përballën me një sasi të jashtëzakonshme mbetjesh të hedhura në breg – por pa gjetur ndonjë “thesar” mes tyre. Qyteti, i njohur si “Perla e Adriatikut” dhe i mbushur zakonisht me turistë, u prek rëndë nga grumbullimet e mbeturinave që, sipas autoriteteve, vinin kryesisht nga Shqipëria.

Një stuhi e fuqishme në Detin Adriatik shkaktoi trazim të ujërave, dhe rrymat e forta jugore sollën në breg rreth një ton mbeturina. Ato u depozituan në dy prej zonave më të frekuentuara të qytetit: plazhin e Banjës dhe Qytetin e Vjetër.

“Bazuar në etiketat dhe materialet e gjetura, shumica dërrmuese e mbetjeve duket se kanë origjinën nga Shqipëria,” tha Marija Pajic Bacic, përfaqësuese e qytetit të Dubrovnikut.

Kryebashkiaku Mato Frankovic deklaroi se të gjitha shërbimet e qytetit – nga punonjësit e kanalizimeve te stafi i portit – u angazhuan në operacionin e pastrimit. Ndërkohë, një organizatë riciklimi shprehu gatishmërinë për të ripërdorur një pjesë të plastikës në produkte të dobishme, edhe pse ende nuk është e qartë se sa prej saj mund të rikuperohet.

Zyrtarët dhe ekipet e riciklimit nuk janë të papërgatitur: prej vitesh Adriatiku ka nxjerrë tonelata mbeturinash në brigjet e Dubrovnikut. Problemi i plastikës mbetet veçanërisht i ndjeshëm për qytetin prej 42 mijë banorësh, i cili në vitin 2020 nënshkroi një angazhim zyrtar për të reduktuar ndjeshëm ndotjen plastike”.