Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga data 12 tetor do të nisë zbatimi i sistemit të hyrje/daljes (EES) në kufijtë e Bashkimit Evropian, me qëllim të përshpejtimit të kontrolleve kufitare.
Ky sistem është biometrik dhe regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe mbledh shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë, duke eliminuar vulat në pasaportë. Sistemi pritej të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por është shtyrë në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.
Kështu, kur vizitoni për herë të parë një nga shtetet ku do zbatohet kjo masë, do duhet të skanoni pasaportën, të regjistroni shenjat e gishtërinjve, një fotografi të fytyrës si dhe t’u përgjigjeni disa pyetjeve standarde si psh, kur do ktheheni në vendin e origjinës, ku do qëndroni gjatë vizitës dhe sa do qëndroni. Pasi të bëhet regjistrimi herën e parë, në udhëtimet e ardhshme kalimi do jetë shumë i thjeshtë dhe do mjaftojë vetëm skanimi i pasaportës.
Autoritetet evropiane kanë bërë të ditur se ky sistem do të zbatohet gradualisht në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, pjesë e zonës Shengen, për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja.
Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017. Ai pritet të vlejë për gati 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e shtetasve të tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.
Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipa ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.
Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë.