Pas përfundimit të Provimeve të Maturës Shtetërore, maturantët do të hyjnë në fazën e aplikimit për studimet e larta. Nga data 27 korrik deri më 1 gusht, ata do të kenë mundësi të plotësojnë formularin A2 në platformën UALBANIA, duke përzgjedhur deri në 10 programe studimi sipas preferencës.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, u bëri thirrje maturantëve që ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të bërë me kujdes zgjedhjen e degëve ku dëshirojnë të vijojnë studimet.

Për të aplikuar, maturantët duhet të kryejnë pagesën prej 2 mijë lekësh në një bankë të nivelit të dytë. Këtë vit, për herë të parë, fatura e pagesës do të mund të ngarkohet online në platformën UALBANIA, duke shmangur nevojën që aplikantët të paraqiten fizikisht në shkollat e tyre.

Për vitin e ri akademik, universitetet kanë propozuar 60 programe të reja studimi, të cilat do t’i shtohen ofertës ekzistuese. Megjithatë, për degët më të kërkuara pritet konkurrencë e lartë dhe kuotat mund të plotësohen që në raundin e parë të pranimeve.

Pas regjistrimit në programin fitues, maturantët do të kenë të drejtë të çregjistrohen brenda dy ditëve në fund të çdo raundi, nëse dëshirojnë të konkurrojnë për një preferencë më të lartë.