Tre shtetase të huaja janë arrestuar në Tiranë, pasi u kapën duke ushtruar prostitucion në një apartament të marrë me qira në bulevardin “Zogu i Parë”.
Sipas Policisë, gjatë një operacioni të koduar “Rental house”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 3 konstatuan se apartamenti po përdorej për këtë veprimtari të kundërligjshme. Në pranga ranë dy shtetase kineze dhe një shtetase tajlandeze.
Po ashtu, u proceduan penalisht 6 shtetas të tjerë, të dyshuar se kanë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm. Gjatë kontrollit u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, si dhe 4 aparate celularë.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
