Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 13 persona, kryesisht me origjinë Amerika Latine, për ‘Prostitucion’ dhe ‘Shfrytëzim prostitucioni’
Përmes një njoftimi për mediat Prokuroria bën me dije se nga hetimet u zbulua një rrjet prostitucioni ku shtetase të huaja nga Amerika Latine dhe vende të tjera ishin rekrutuar, transportuar dhe vendosur në Shqipëri për të ushtruar veprimtari prostitucioni kundrejt pagesës”.
Në qendër të këtij rrjeti qëndronin shtetasit e huaj F.G. dhe J.G., të cilët, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tjerë, koordinonin aktivitetin e paligjshëm dhe përfitonin nga shërbimet seksuale të ofruara nga gratë e rekrutuara.
Në total u dërguan për gjykim 13 të pandehur, ndër të cilët dy janë organizatorë për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” në rrethana cilësuese. Dy persona të tjerë dyshohet se janë klientë që kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës, teksa 8 shtetase të huaja, nga Amerika Latine, akuzohen për ushtrimin e prostitucionit dhe 1 person është përdorur për shfrytëzim.
Veprimtaria kriminale ishte e shtrirë në disa qytete të vendit dhe rrjeti operonte duke shfrytëzuar platforma ndërkombëtare online të prezantimit të eskortave, ku përmes publikimit të fotove dhe tarifave, realizohej kontakti me klientët shqiptarë dhe të huaj.





