Nga viti 2014, kur frika ishte ajri që thithnim dhe çdo hap dukej si një provokim i fatit, në 2025 Shqipëria sërish po kalon orët e fundit mbi tokën serbe. Të shtunën, në 20:45, do të luhet ndeshja në Leskovc dhe unë jam këtu, si i vetmi njeri që ka parë nga afër të dy skenat – atëherë dhe tani.

Sot, 24 orë para ndeshjes, gjithçka duket në qetësi. Por është pikërisht ajo qetësi që të rri mbi kokë si re e ulët. Krahasuar me 2014-n, ngarkesa psikologjike është më e lehtë, kthjellët, më e menaxhuar. Forcat e policisë janë kudo: në rrugë, në aks, në hyrje e dalje, pranë hotelit tonë në periferi të Nishit, të vendosur mbi autostradë si gardianë të padukshëm. Dhe megjithatë, atmosfera nuk është shpërthyese si dikur, është e heshtur, pa gjeste agresive, por e shtrënguar fort nga rregullat.

Në 2014, një natë para ndeshjes në Beograd, askush nuk na ndaloi të dilnim. Shkuam në qendër, ecëm nëpër rrugët e qytetit, hymë në një lokal për darkë, pimë një birrë dhe askush s’e mendoi se çfarë mund të ndodhte të nesërmen. Ishte çudia brenda normalitetit. Askush nuk e dinte se po ulej mbi një minë me sahat.

Sot, në 2025, gjithçka është më e kontrolluar, por më pak njerëzore. Asnjë prej nesh nuk lejohet të dali nga hoteli. Jo për një kafe, jo për një shëtitje, as për të parë qytetin nga afër. Policët janë aty, jo për të na shoqëruar, por për të na mbajtur brenda një çadre sigurie që nuk duket, por ndihet në çdo hap.

Kjo nuk është panik, por parandalim. Nuk është alarm, por as liri. Forcat speciale, policia rrugore, barrierat fizike e psikologjike janë më të shumta se njerëzit që takojmë.

Dhe unë pyes veten: çfarë na pret nesër? A do të jetë gjithçka ashtu siç garantojnë autoritetet? E qetë, sportive, e kontrolluar, “normalitet i ri” për një ndeshje që ende mban plagë të vjetra?

Apo kjo heshtje është thjesht sipari para se dikush të shkundë skenën? Sepse në 2014 asgjë nuk dukej ogurzezë deri në momentin kur gjithçka shpërtheu. Ndërsa tani, gjithçka duket e qetë, aq qetë sa të kujton zhurmën që ke dëgjuar dikur, para stuhisë.

Unë jam këtu, sërish. Jo si spektator, por si dëshmitar i dy kohëve. Në Beogradin e 2014-s nuk e dinim çfarë na priste. Në Leskovcin e 2025-s, duket se të gjithë e dinë, por askush nuk e thotë.

Futbolli na solli këtu. Historia nuk na ka lënë të largohemi. Dhe nesër, fushat, flamujt dhe fryma do të tregojnë nëse kjo është përsëritje apo mbyllje llogarish.