Policia e qytetit të Yonkers-it në New York ka arrestuar disa persona për hedhje të paligjshme të mbeturinave, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, i identifikuar si Xhevahir Kalaja.

Hetimet zbuluan se ai ishte i përfshirë në mbi 10 raste të ndryshme ndotjeje, ku dyshohet se ka hedhur goma të përdorura makinash dhe mbeturina nga biznesi i tij në një zonë të pyllëzuar brenda parkut Scotti Park.

Kalaja u kap në flagrancë më 10 shtator 2025, falë bashkëpunimit të Policisë me Departamentin e Parqeve dhe Rekreacionit në Yonkers.

Ndaj tij është ngritur akuzë penale për shkelje të Kodit të Qytetit dhe ligjeve shtetërore për hedhje të paligjshme të mbeturinave. Automjeti i tij u sekuestrua menjëherë, ndërsa çështja do të ndiqet penalisht nga Zyra e Prokurorit të Qarkut Westchester.