David Ira Lang është 71-vjeçari amerikan, i dënuar nga autoritetet ruse për pornografi me të mitur, që u arrestua në Shqipëri. 71-vjeçari u vendos në pranga pasi dyshohet se prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur në Shqipëri.

Gjatë kontrollit në banesën e David Ira Lang, policia kriminale gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

71-vjeçari rezulton se është biznesmen, teksa më herët është dënuar nga një gjykatë ruse të kalojë 7.6 vite në mërgim për filmimin dhe shitjen e materialeve pornografike ku ishin përfshirë dhjetëra fëmijë të mitur.

Ai e ka nisur karrierën e tij në Nju Jork, si konsulent biznesi, e po ashtu jepte dhe mësime anglishteje. Teksa ushtronte profesionin si mësues, ai ra në kontakt me fëmijë të mitur, duke nxjerrë në pah dhe anën e tij pedofilike.

Ai hapi një studio, ku filmonte për 9 vjet fëmijë e po ashtu i abuzonte seksualisht. Këto materiale më pas i shiste në treg të zi. Në atë kohë, David Lang kishte bashkëpunëtore një grua ruse të quajtur Ekaterina Yasina, nënë beqare e cila vepronte si përkthyesja e tij dhe gjeti vajzat e mitura që 71-vjeçari përdorte në filmat e tij pornografik.

Gjithashtu Ekaterina Yasina i rregullonte flokët dhe grimin të miturave për sesione fotografike. Ajo u dënua me tre vjet me kusht, për shkak se ishte nënë e një fëmije të mitur. Ndërsa Lang u dënua në një gjyq me dyer të mbyllura dhe më pas apeloi vendimin, por kërkesa e tij u refuzua.

Para arrestimit të tij, Land u fotografua me ambasadorin e atëhershëm të SHBA në Rusi, Alexander Vershboë, i cili shërbeu në Moskë nga 2001 deri në 2005. Ai është fotografuar edhe me Thomas Niblock, konsull të përgjithshëm amerikan në Ekaterinburg.

Pas dëbimit, Lang duket se ka gjetur strehim në vendin tonë, ku nuk dihet se për sa kohë ka qëndruar, e po ashtu nëse fëmijë shqiptarë kanë qenë viktima të tij.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas disa muajsh hetime operacioni policor i koduar “Gjurma virtuale”.

Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës

Prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur, arrestohet 71-vjeçari (shtetas amerikan, me precedent penal jashtë Shqipërisë).

Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan D. L., 71 vjeç, banues në Tiranë.

Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.

Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijojnë hetimet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.