Zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin konkurruese, por u zhvilluan një mjedis shumë të polarizuar.

Ky është raporti final i OSBE-ODHIR, ndërsa në të vlerësohet se procesi i votimit në përgjithësi u menaxhua mirë, ishte i qetë, por “u shënua nga një numër incidentesh të frikësimit dhe nxitjes së votuesve dhe disa mangësi procedurale dhe transparence në numërimin e votave.”

“Zgjedhjet ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi ishin në gjendje të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan se u përballën me kërcënime”, thuhet në raport.

Më tej, në raport theksohet se terreni i garës për kandiatët nuk ishte i barabartë. Pasi, në raport thuhet se “partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimi institucional”.

“Fushata ishte përgjithësisht e qetë, por megjithatë u karakterizua nga një gjuhë përplasëse dhe polarizuese, veçanërisht në hapësirën online dhe sidomos midis dy partive kryesore politike dhe drejtuesve të tyre. Votuesit kishin mundësi zgjedhjeje mes alternativave politike, dhe pjesëmarrësit në garë në përgjithësi gëzonin liri për të bërë fushatë, por terreni i garës nuk ishte i barabartë, pasi partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimi institucional, duke e bërë të paqartë ndarjen midis shtetit dhe partisë. U shënuan pretendime për ushtrim presioni ndaj punonjësve publikë, raste frikësimi të mbështetësve të opozitës dhe përdorim të rrjeteve të klientelizmit, gjë që bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Çështje të tjera shqetësuese përfshinin raportime për blerje votash, përpjekje për të ndikuar padrejtësisht tek votuesit më të cenueshëm, si dhe ndikimin e pretenduar të elementeve kriminale në procesin zgjedhor në disa zona të vendit”, thuhet në raport.