Prokuroria e Vlorës ka shpallur në kërkim një 29-vjeçare me shtetësi braziliane, e dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të trafikimit të personave dhe shfrytëzimit për prostitucion.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, ajo akuzohet për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur me qëllim shfrytëzimin për prostitucion” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Hetimet tregojnë se në një apartament në lagjen “Lef Sallata” në Vlorë, e dyshuara shfrytëzonte për prostitucion dy gra të tjera me shtetësi braziliane, përkatësisht 34 dhe 30 vjeçe.
Këto të fundit janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”.
Ndërkohë, policia vijon punën për kapjen e 29-vjeçares dhe dokumentimin e plotë të rrjetit të mundshëm të trafikimit ndërkombëtar.
