“Qava aq shumë sa u ënjta nga sytë. Kisha frikë me ik në shtëpi, por prita sa u errësua që të mos më shikon më ata sy”, kështu e nis rrëfimin e saj Fatmira Vata.

Edhe pse duket një grua e fortë që e do të bukurën, Fatmira, oficere e policisë gjyqësore në prokurorinë e Shkodrës tregon si e përjetoi kur mësoi se ishte prekur nga kanceri. Tentoi dhe ajo si të tjerat të mos e tregonte në familje.

“Kur u shtriva të flija ishte si të hyje në një dhomë pa ajër”.

Do të ishte gardiani i burgut që i dha indicien e parë për vetëkontroll teksa i tregoi se gruaja e tij e kishte në stad të avancuar, se mjekët e kishin neglizhuar, çka bëri që Fatmira mos të humbë kohë.

“Siç përshëndes rëndom policin roje te dera “si je?” më tha “unë mirë, po gruan s’e kam mirë… ka kancer në formë të rëndë. Shkoi te mjeku, i tha ‘ke një nodus’ dhe i dha antibiotikë. Filloi të kurohej me antibiotikë. Por më vonë doli që kishte qenë kancer gjiri”.

Sa shkova në shtëpi hyra në dush dhe pashë që në gjoks kisha një gjë tjetër. Shkova për vizitë te mjeku.

Më tha: “Nodus, marrim antibiotik.” Menjëherë më kujtua gardiani. Unë shkova në Tiranë dhe doli kancer gjiri.

Këtu nis kalvari i gjatë, ku Fatmirës iu desh të heqë gjirin, të bëj kimioteraopi dhe radioterapi nga njëra anë, e shpenzime pa fund nga ana tjetër.

Por me ulje-ngritje të emocioneve, ajo nuk u dorëzua. I dha forcë vetes gjithmonë me një mbështetje të madhe të familjarëve, qoftë dhe financiarisht, por edhe të shoqatës YWCA, ku, siç tregon, gjeti mbështetje të madhe te gratë kristiane.

E dërrmuar financiarisht, pasi siç tregon edhe një protezë gjiri mezi mundi ta siguronte, iu desh të dilte menjëherë në punë.

Por ka një mesazh për të gjitha gratë që druajnë të bëjnë një kontroll rutinë se kanë frikë, por edhe për ato që janë në këtë betejë sot.

“Më mirë parandalo sot, është më lehtë. Qesh sa më shumë”.