Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka prezantuar sot drejtorin e ri të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, i cili do të marrë drejtimin e këtij institucioni me synimin për të optimizuar shërbimet dhe për të avancuar proceset e digjitalizimit.
Balluku e përshkroi Xhafajn si një bashkëpunëtor të njohur dhe të besuar, me një eksperiencë të gjerë në administratën publike dhe një mandat të kaluar në qarkun e Tiranës. Sipas ministres, ai është një profesionist i kualifikuar që do të kontribuojë për përmirësimin e Postës Shqiptare dhe bashkë me drejtorin aktual të shërbimit, Admirin, do të sigurojnë një zhvillim të mëtejshëm të këtij sektori.
“Është bashkëpunëtor i hershëm i imi. Kemi punuar bashkë në disa institucione. Ka mbajtur një mandat të qarkut të Tiranës. Sot drejtimi i postës shkon në duart e një profesionisti të sprovuar që ka eksperiencë në disa fusha. Në bashkëpunim me Admirin do të optimizohet procesi i Postës Shqiptare. Për ne është e rëndësishme që Posta të performojë duke optimizuar shërbimet. Digjitalizimi është në bazën e tyre.”, u shpreh Balluku.
