Policia ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes së turistit 20-vjeçar portugez sot në Ksamil.

Raportohet se 11 persona janë arrestuar nga policia lidhur me ngjarjen e rëndë. Të arrestuarit janë; Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, të dy me shtetasi turke, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina, Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi.

Portugezi u vra me thikë nga Sokrat Vata, pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur pas ngacmimit të një vajze. Por sipas policisë, dyshohet se ndërkohë që Vata e qëllonte me thikë, David Heurtevent e godiste me grushte. Ky i fundit dhe Vata akuzohen të dy për vrasje me dashje. Teksa Vata u arrestua sot, Heurtevent është ende në kërkim.

Ndërsa 4 kamarierët në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me thikë Vata dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve 3 punonjës policie, të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, Bekim Bulica i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.

Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.

Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.

S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;

N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë;

E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi;I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd;M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;

M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër;

L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër;

R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër;

K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.