Servet Pëllumbi, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste në vitet e para të tranzicionit, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një karrierë të gjatë akademike dhe politike.

I njohur brenda së majtës shqiptare si “profesori”, Pëllumbi mbajti një rol të rëndësishëm në drejtimin e Partisë Socialiste pas ndryshimeve të viteve ’90, ku përfaqësonte krahun më tradicional të saj në raport me rrymat e reja politike të kohës.

Detyra e tij më e lartë shtetërore ishte ajo e Kryetarit të Kuvendit gjatë periudhës 2002–2005, kur parlamenti drejtohej nga mazhoranca socialiste në vitet e fundit para kalimit të saj në opozitë.

I lindur në Korçë, Pëllumbi ka kandiduar disa herë në këtë zonë pas vitit 1990. Ai ka kryer studimet e larta në Universitetin e Petersburgut, ku është diplomuar si doktor i shkencave në fushën e Letërsisë. Karrierën akademike e nisi si pedagog në Institutin Pedagogjik të Korçës në vitet 1960–1963, për ta vijuar më pas deri në fund të viteve ’70.

Në vitin 1977 ai u bë pjesë e strukturave drejtuese të Partisë së Punës si anëtar i Komitetit Drejtues, ndërsa për një periudhë ka ushtruar edhe detyrën e pedagogut në Universitetin e Tiranës.

Pas ndryshimeve demokratike të vitit 1990, Pëllumbi u pozicionua si nënkryetar i Partisë Socialiste, duke përfaqësuar krahun më konservator të saj në përballje me rrymat më liberale të drejtuara nga Fatos Nano. Ai e mbajti këtë post deri në vitin 1996.

Gjatë karrierës së tij politike, ai ka drejtuar edhe fushata elektorale të rëndësishme të socialistëve, përfshirë kundërshtimin e referendumit për Kushtetutën, i cili u fitua nga PS.

Përveç angazhimit politik, Pëllumbi ka qenë profesor në Universitetin e Tiranës dhe autor i dhjetëra librave dhe studimeve në fushat e filozofisë, politikës dhe demokracisë, duke lënë një trashëgimi të gjerë akademike.