Dritan Gjika është një nga personat e përmendur në hetimin e fundit të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Sipas të dhënave hetimore, ai dyshohet se ka pasur një rol kyç në një organizatë kriminale me bazë në Ekuador, e cila, sipas autoriteteve, merrej me trafikimin e kokainës drejt vendeve europiane.
Raportohet se Gjika ka mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme dhe, me kalimin e viteve, emri i tij është shfaqur në disa hetime ndërkombëtare që lidhen me trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas hetuesve, grupi i dyshuar kriminal operonte në disa nivele, duke përfshirë organizimin e transportit të drogës, logjistikën dhe koordinimin me bashkëpunëtorë në vende të ndryshme të Europës, mes tyre Holanda, Belgjika dhe Spanja.
Po ashtu, autoritetet dyshojnë se përmes kompanive të ligjshme janë kryer skema të pastrimit të parave, me vlera që në disa raporte hetimore përllogariten në mbi 43 milionë dollarë.
Sipas raportimeve, Dritan Gjika është arrestuar në Abu Dhabi gjatë vitit 2025 dhe emri i tij vijon të jetë pjesë e hetimeve të përbashkëta mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese ndërkombëtare për zbardhjen e aktivitetit të dyshuar kriminal.
