Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj janë tre personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e djeshme të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Elvis Shkambi është 30-vjeçari që qëlloi për vdekje gjyqtarin, sapo ai dha vendimin kundër xhaxhait të tij, Gjon Shkambi. Ky i fundit akuzohet se ishte në dijeni të planit të nipit dhe nuk e ndaloi apo denoncoi atë.

Nga ana tjetër, Banush Koxhaj është roja i Gjykatës së Apelit dhe akuzohet se ka shpërdoruar detyrën. Sipas policisë, detektori ka sinjalizuar për praninë e armës, por ai nuk ka kontrolluar, e po ashtu nuk ka shënuar emrat e personave që hynë në Gjykatë.

Policia bën me dije se këta tre persona do të përballen me akuzat:

• Elvis Shkambi, 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

• Gjon Shkambi, 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;

• Banush Koxhaj, 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.