Sociologu i njohur, Gëzim Tushi, ka qenë një ditë më parë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën. Tushi ka komentuar ngjarjet tragjike të ndodhura muajt e fundit në vendin tonë.

“Ngjarjet e fundit në vend kanë qenë alarmante, plot dhunë të shtuar”, tha moderatori i njohur, i cili më pas pyeti sociologun “çfarë duhet bërë në këtë rast?”.

Sipas Tushit, ne kemi nevojë të rregullojmë institucionet kryesore sociale, që janë institucione të sigurisë morale dhe të formimit qytetar.

“E para është familja. Nëse ne i kemi gjithë këto probleme sociale në jetën shoqërore, mëkati kryesor është sepse po dobësohet familja. Shumë filozofë, shumë sociologë sot thonë që ne u morëm me shtetin dhe harruam familjen. Dhe gjithë të këqijat burojnë nga familja, një strukturë familjare e dobësuar.

Kjo është fabrikë që prodhon, është një fonderi që derdh, që krijon personalitetin e fëmijëve. Pra nga familja dalin kriminelët, dalin njerëzit e shquar, njerëzit e edukuar, njerëzit e formuar. Kështu që ne duhet të investojmë për familjen. Në këto momente, nuk është burokratike të kemi një ministri të veçantë për familjen dhe gratë.

Kemi 16-17 ministri, por të kemi një për të hartuar strategji për të mbështetur familjen. Po nuk mbështetëm familjen, fëmijët do të jenë të tillë”, tha sociologu i njohur.

Tushi më pas shtoi:

“E dyta është shkolla. Shkolla ka probleme të mëdha ekzistenciale. Nuk them që mësuesit duhet t’i bëjmë kokë turku, nuk them që shkollës duhet t’ia ngarkojmë të gjitha përgjegjësitë, sepse në shoqërinë tonë ka filluar një lloj ping-pongu. Po t’i thuash prindërve thonë që çfarë po bën shkolla, po t’i thuash shkollës thonë që këta fëmijë vijnë nga prindi. Ky ping-pong duhet ndalur, secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta”.