Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës dhe një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë në kuadër të goditjeve e rasteve të tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.

Si rezultat i këtij aksioni, blutë e Tiranës kanë goditur 3 raste të posedimit të lëndëve piroteknike dhe lëndëve plasëse, me qëllim shitjen dhe një rast i kontrabandës së mallrave. Gjatë kontrolleve u sekuestruan sasi të konsiderueshmmme lëndësh piroteknike, lëndë djegëse dhe veshje të dyshuara të kontrabanduara.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit të masave për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin e tregtimit në mënyrë të kundërligjshme, të lëndëve piroteknike, shërbimet e Policisë Tiranë kanë evidentuar tre raste të kësaj veprimtarie dhe kanë kryer veprimet procedurale për autorët e dyshuar, konkretisht:

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin H. Z., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, u gjet një sasi e konsiderueshme lëndësh piroteknike. Gjithashtu, u gjet një sasi e madhe veshjesh të dyshuara të kontrabanduara. Lëndët piroteknike dhe veshjet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin D. Q., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin dhe në banesën e tij, u gjetën lëndë të ndryshme piroteknike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale;

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. H., 45 vjeç, pasi gjatë kontrollin në marketin në pronësi të tij, në rrugën “Frosina Plaku”, u gjet një sasi lënde e dyshuar plasëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.