Detaje të reja zbardhen nga sherri masiv që ndodhi në një lokal në zonën e Pazarit të Vjetër të Korçës, ku tre persona mbetën të plagosur.
Policia e Korçës ka sekuestruar të gjitha pamjet filmike nga vendngjarja dhe po vijon hetimet për identifikimin e të gjithë të përfshirëve. Sipas informacionit zyrtar, konflikti filloi verbalisht mes dy grupeve dhe u agravua shpejt, duke përfunduar me hedhje karrigesh dhe përdorimin e shkopave të bejsbollit. Më pas, tre nga autorët përdorën një mjet prerës, duke plagosur tre persona.
Nga hetimet paraprake rezulton se deri tani janë arrestuar 9 persona, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ky numër të rritet pasi po punohet për identifikimin e pjesëmarrësve të tjerë. Burimet policore shtojnë se disa nga të plagosurit mund të jenë mes të arrestuarve.
Sherri dyshohet të ketë nisur për motive banale dhe ka ndodhur nën efektin e alkoolit, duke nxitur reagimin e shpejtë të autoriteteve për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.
