Partia Socialiste hapi sot fushatën elektorale, duke përdorur disa simbolika të veçanta.
Fillimisht, Rama ishte shprehur më herët se zgjodhi datën 12 prill, një ditë pas nisjes zyrtare të fushatës, për të bërë çeljen duke simbolizuar 12 yjet që ndodhen në flamurin e Bashkimit Europian. Pikërisht anëtarësimi i Shqipërisë në BE është një ndër pikat kryesore të programit premtues të PS.
Por jo vetëm kaq, pasi Rama zgjodhi që skenografia të kishte në përbërje 12 yje, si për yjet e BE-së, por edhe për të përfaqësuar 12 qarqet e vendit.

Nga ana tjetwr, edhe veshja e kryesocialistit ishte kuruar në mënyrë të detajuar që të përçonte simbolikisht. Në takimin hapës të fushatës, Rama kishte veshur atlete dhe kapele të personalizuara me numrin 5, i cili është numri i Partisë Socialiste në fletën e votimit të zgjedhjeve të 11 majit.
Bluza që kishte veshur kryesocialisti kishte të stampuar në qendër të saj një yll me ngjyrat e flamurit të Bashkimit Europian dhe ato kuq e zi të flamurit të Shqipërisë.






