Një 53-vjeçar është arrestuar sot në Vaun e Dejës, i akuzuar se ka kërcënuar me jetë disa persona.

Mësohet se në pranga ka rënë Ardian Garubin në fshatin Kosmaç, i cili ditën e djeshme ka goditur me grushte një 28-vjeçar dhe e ka ndjekur me thikë në dorë, për disa minuta.

“Dje, ka kallëzuar një 28-vjeçar se ky shtetas e ka goditur me grushte dhe e ka ndjekur me thikë në dorë, për disa minuta”, informuan blutë.

Gjithashtu Ardian Garubi është denoncuar nga një tjetër person se i kishte dëmtuar pronat dhe e ka kërcënuar me sëpatë, atë si edhe familjarët e tij. Sipas 63-vjeçarit, i arrestuari i ka thyer xhamat e furgonit dhe të vetratës së dyqanit si edhe ka dëmtuar një automjet tjetër gjatë muajve prill-shtator 2025. Ndërsa më 23 Shtator, ai e ka konstatuar 53-vjeçarin, në afërsi të banesës së tij, duke mbajtur një sëpatë në dorë.

“Gjithashtu, dje, ka kallëzuar një 63-vjeçar, se gjatë muajve prill dhe shtator 2025, shtetasi A. G. i ka thyer xhamat e furgonit dhe të vetratës së dyqanit dhe ka dëmtuar një automjet tjetër, ndërsa më datë 23.09.2025, e ka konstatuar 53-vjeçarin, në afërsi të banesës së tij, duke mbajtur një sëpatë në dorë”, raporton policia.

Gjatë kontrollit në banesën e Ardian Garubit, shërbimet e Policisë kanë gjetur 4 mjete prerëse (3 thika dhe 1 sëpatë), të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.