Është prezantuar ditën e sotme drafti i ri i Kodit Penal, për të cilin ka nisur puna në vitin 2019 nga një grup ekspertësh të pavarur, të kryesuar nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi.

Ajo që bie në sy nga një vështrim i përgjithshëm i draftit të Kodit të ri Penal është shtimi i disa veprave të reja penale, që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, por edhe me krimet kibernetike. Gjithashtu, drafti parashikon heqjen e disa neneve të ligjit të dekriminalizimit, të cilat i cilëson si të vjetruara, por nuk i specifikon konkretisht se cilat janë.

Drafti i prezantuar ka dhe një shtim të llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe të dënimeve plotësuese. Gjithashtu, ripërcaktohet përgjegjësia penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës.

Po ashtu, në draft propozohet lirimi me kusht për të dënuarit e përjetshëm, atëherë kur përmbushen kushtet. Një nga elementet e rinj në Kodin e ri Penal, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha është shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizimit. Gjithashtu është propozuar që mosha 14, 16 apo 18 vjeç duhet parë më me tolerancë.

Megjithatë, drafti nuk është përfundimtar, teksa është hedhur për konsultim publik nga qeveria dhe mund të ketë ndryshime nga drafti përfundimtar që mund të miratohet.

Përmbajtja e draftit të ri të Kodit Penal:

Drejtësia restauruese:

  • Dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës.
  • Ridimensionim tërësor i sistemit të dënimit penal, duke vendosur kritere objektive për caktimin e dënimit nga gjykata, duke shmangur arbitraritetin dhe zbatimin preferencial të ligjit penal.
  • Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese.
  • Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës.

Kriminalizimi i veprave të reja:

  • Terrorizmi kibernetik, trafikimi i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit etj.
  • Trafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe ndërhyrja në numërtimin e tyre.
  • Veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit.
  • Ofrimi i ushqimit të pasigurt, mashtrimi me produktet ushqimore, paraqitja e rremë e produktit ushqimor.
  • Punësimi i paligjshëm i shtetasve të huaj apo pa shtetësi.
  • Falsifikimi i mjeteve të pagesës cash dhe jo cash, mjeteve matëse, numrave të mjeteve motorike.
  • Pengimi i drejtësisë, keqdrejtimi i organeve të procedurës për autorin e krimit, ndikimi me dhunë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, përdorimi i dhunës gjatë hetimeve, ndikimi në pavarësinë e gjykatës, konflikti i interesit të avokatit dhe mosparaqitja në seancë, dhënia e një vendimi në keqbesim.
  • Vrasja me pëlqimin e viktimës, shkaktimi i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit, porosia për të kryer vrasje.

Dekriminalizimi:

  • Heqja e disa veprave të vjetruara nga lista e veprave penale.

Përkufizime të reja:

  • Përcaktim dhe përkufizim i nocioneve që i kanë munguar legjislacionit shqiptar ndër vite, duke reduktuar boshllëqet dhe paqartësinë që mund të haset në praktikë.
  • Njehsimi i terminologjisë së Kodit.
  • Saktësimi i nocioneve juridike, duke krijuar kushtet për zbatim korrekt dhe uniform të ligjit penal, si lidhja shkakësore, mosveprimi, tentativa, mbrojtja e nevojshme.

Përputhshmëria me Acquis të BE-së:

Përafrimi me aktet e Bashkimit Evropian që përcaktojnë kriminalizimin e sjelljeve, veprimeve ose mosveprimeve të caktuara, në mënyrë që Kodi i ri Penal të jetë pjesë integrale e procesit të aderimit të Shqipërisë në BE.

Parashikimi i instituteve të reja që kodi në fuqi nuk i parashikon, si dhe korrektimi i instituteve aktuale që kanë shfaqur probleme gjatë zbatimit, si:

  • Formimi i përgjegjësisë penale si faji dhe lidhja shkakësore me mosveprim, gabimi në fakt, gabimi në ligj, konkurrimi i veprave penale.
  • Tentativa: përcaktimi i kufijve të zbatimit të këtij instituti si dhe mekanizmi për zbutjen e dënimit.
  • Përcaktimi i formave shtesë të bashkëpunëtorëve dhe mekanizmi i dënimit për bashkëpunëtorët sipas rolit që kanë në kryerjen e veprës penale.
  • Dënimet penale (shtimi i dënimeve plotësuese dhe masave plotësuese) dhe përcaktimi i mekanizmit për caktimin e dënimit, si dhe ndikimi i rrethanave lehtësuese dhe rënduese në masën e dënimit.
  • Rregullimi i ndikimit të institutit të kryerjes së veprës penale më shumë se një herë dhe recidivizmit në caktimin e masës së dënimit penal.
  • Rregullimi i përgjegjësisë penale dhe dënimet për personat juridikë në Kod.
  • Shtimi dhe saktësimi i listës së rrethanave që përjashtojnë nga përgjegjësia penale autorin e një fakti penal.
  • Për herë të parë është parashikuar instituti i lajthimit (gabimit) në faktin që përbën vepër penale, si dhe listimi i pasojave të tjera që burojnë nga kryerja e veprës penale.

Masat edukative për të miturit

  • Rikonceptim i trajtimit të të miturve;
  • Sigurojnë/garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit;
  • Llojet: këshillimi; mbikëqyrja e veçantë nga prindi, prindi birësues ose kujdestari, mbikëqyrja në përkujdesje alternative dhe vendosja në një institucion të përkujdesjes edukativo–korrigjuese;
  • Në caktimin e tyre merren parasysh një sërë faktorësh dhe Masa më e rëndë edukuese – aplikohet si alternativë e fundit;
  • Një rol qëndror i jepet Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, strukturave përkatëse të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor apo çdo organi tjetër kompetent;
  • Së bashku me masat gjykata mund të cakton një/disa detyrime të veçanta ndaj të miturit, kur kjo është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të masës, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, ndjekja e rregullt e procesit arsimor, të mos frekuentojë vende të caktuara, të mos kontaktojë persona të caktura etj.

Personat juridike

  • Adresohet në mënyrë të përshtatshme përgjegjësia penale dhe mënyra e dënimit të personave juridikë;
  • Në përputhje me nevojën për të luftuar kriminalitetin e këtyre subjekteve
  • Në përputhje me modelin që ofron praktika evropiane.
  • Përcaktimi i saktë i zbatimit të ligjit penal mbi këto entitete dhe kriteret konkrete të përcaktuara në projekt krijojnë mundësi reale që organet proceduese ta godasin në mënyrë efektive krimin e organizuar.