E ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Brunilda Mersini, kryebashkiakja e re e Vlorës.
Pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje ishte në Vlorë, atje ku kandidatja e maxhorancës, Brunilda Mersini, e cila dorëzoi mandatin e deputetes, fitoi thellë ndaj rivalit të mbështetur nga PD-ja. Nga 144 mijë qytetarë të Vlorës, vetëm 18 111 prej tyre votuan të dielën ose 12.54%, me Mersinin që siguroi 15672 vota ndaj 2333 që mori Dionis Sota. Kandidati i tretë Gjergji Nika e mbylli garën me 1975 vota.
Intervista:
Si janë ndjesitë tuaja pas fitores?
Është një ditë që ka plot emocione, por midis emocioneve dominon ndjenja e përgjegjësisë dhe e përkushtimit, por mbi të gjitha e mirënjohjes për qytetarët, për kulturën demokratike të tyre, që zgjodhën njeriun e përkushtuar dhe njeriun që e kanë pasur çdo ditë në jetën e tyre, me shërbimin që unë kam pasur si mjeke në qytetin tim.
Si e komentoni pjesëmarrjen e ulët në votime në qytetin tuaj?
Intensiteti i shiut ishte shumë i lartë dhe kjo është pasqyruar edhe në media. Rrugët e qytetin deri diku u bënë të pakalueshme dhe prej orës 12 të drekës, deri në orën 18:30, shiu ishte me të njëjtin intensitet. Këto kushte atmosferike, moshat e treta, njerëzit që kanë pasur probleme shëndetësore dhe aftësi të tjera të kufizuara për të shkuar në qendrat e votimit, është një fakt.
Do kemi kohë për të bërë analiza për pjesëmarrjen, por në opinionin tonë të parë, kuptohet që këto janë zgjedhje të pjesshme, ku nuk garohet për anëtarë të këshillit bashkiak, që janë një fashë tjetër që do sjellin vota në kutinë e votimit, me ftesat për pjesëmarrje. Vlora, ndryshe nga bashkitë e tjera, zgjedhjet i kishte atipike, sepse vetëm një muaj më parë, Ermal Dredha dha dorëheqjen, ndërsa bashkitë e tjera diheshin prej kohësh që të gjithë kryebashkiakët kishin marrë mandatin e deputetit. Dhe mendoj se koha e pamjaftueshme, gati një javë për të bërë fushatë, dhe mungesa po ashtu e anëtarëve të këshillit bashkiak në kutitë e votimit, unë i shikoj faktorë që kanë ndikuar.
Meqë dhe ju përmendët përmbytjet, do të rregullohen rrugët gjatë mandatit tuaj?
Fushata edhe pse për një kohë të shkurtër, ka qenë shumë intensive. Unë jam përpjekur të dialogoj me çdo grup interesi, me çdo komunitet në qytetin tim. Padiskutim që në gjithë programin tim elektoral, me mandatin tim deri në vitin 2027, rrugët e qytetit, trafiku dhe përmbytjet që janë bërë problem në disa zona, i përfshin programi elektoral me plane pune të qarta, me projekte të financuara dhe të matshme për syrin e publikut deri në 2027.
Kryeministri Rama ka pasur disa herë fërkime me kryebashkiakët e Vlorës dhe e ka Vlorën pikë të dobët, duke qenë edhe një nga qytetet më të mëdha. Ju çfarë raporti keni me Kryeministrin Rama?
Unë nuk i kuptoj këto fabulat e përplasjes në qytet, sepse edhe Shpëtim Gjika ka pasur tre mandate të suksesshëm, edhe Dritan Leli ka pasur dy mandate. Këto janë disa fabula që kanë qarkulluar mediatikisht, por ne që jetojmë në këtë qytet, dimë të themi se nëse do të kishte përplasje, Dritan Leli nuk kishte pse ta merrte mandatin e dytë, por këto janë pyetje që i takojnë kryebashkiakëve të tjerë. Nëse Vlora ka një dinamikë të tillë dhe ka një stad të tillë zhvillimi, të majtë dhe të djathtë biem dakord që Edi Rama dhe vizioni i tij dhe mbi të gjitha dashuria e tij për Vlorën, e ka sjellë Vlorën në këtë standard. Dhe sot ne shpresojmë që Vlora të jetë qyteti i parë nëpërmjet aeroportit që i hapi dyert Evropës, sepse tashmë jo vetëm që është një qytet turistik, por është një qytet gjithëpërfshirës dhe kemi moton që të gjithë vizitorët në qytetin e Vlorës, të rikthehen në qytetin e Vlorës me po të njëjtën dashuri si e kemi ne vlonjatët për Vlorën.
Marrëdhënia ime me Ramën është si kryeministri i vendit tim dhe duke pasur fatin që e kemi me rrënjë nga Vlora, e di shumë mirë që ai do ketë dashamirësinë dhe do japë suport kryebashkiakes së parë në qytetin e Vlorës.
Ka pasur raste që kryebashkiakë që janë në hetim nga SPAK ose në burg, juve ju tremb pushteti?
Çdo punë, çdo profesion, qoftë edhe ai që duket se është një profesion që ka risk të ulët, ka problemet e veta në rrugëtimin e punës. Por kur merret përpara një sfidë, vështirësitë dhe problemet ndahen me stafin. Unë jam e qetë sepse vij nga një periudhë e gjatë administrimi, jam shumë e qartë që duke krijuar stafe dhe duke pasur busullë zbatimin e ligjit, nuk ka pse të t’i frikësohem punës dhe sfidës që më pret. Çdo njeri që vjen nga një periudhë e gjatë administrimi, e ka shumë të qartë që zbatimi i ligjit është busulla për të pasur performancë të mirë. /Top Albania Raidio/


