Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime të thella në transportin publik, ujësjellës dhe hapësirat urbane. Një nga detyrat kryesore do të jetë sistemimi i kabllove ajrore dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore dhe roli i bashkive në këtë proces.
“Është tanimë plotësisht e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga fijet plastike të merimangave dhe siç e tregon inventari, pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty tërësisht si shenjë e harresës dhe mungesës së vëmendjes”, tha kryeministri.
Në 10 ditët e para të korrikut do të prezantohet edhe programi Rilindja Urbane 2.0 që adreson një sërë problematikash duke ndërhyrë në të gjitha pikat që kanë mbetur më pak të investuara, tha Rama.
“Ka ardhur koha të marrë një drejtim shterrues, të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të painvestuara, janë në fakt shumë më pak se sa pjesë të investuara të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Do duhet një ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe për t’i dhënë përgjigje edhe atyre nevojave të mbetura të paadresuara të segmentit akoma të munguar të rrjetit të përgjithshëm. Së dyti, do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin urban dhe interurban. Pika më e dobët është transporti i sezonit të pikut kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët të lëvizin me mjete të transportit publik. Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë kur transporti të jetë plotësisht i gjelbër, me autobusë elektrikë dhe së dyti, për të ndërtuar një sistem përdorimi dhe administrimi të këtyre mjeteve nga bashkitë. Do ta shtrijmë tanimë në të gjithë territorin, do të kemi një park logjistik që do u shërbejë bashkive për të gjitha punimet e pastrimeve, mirëmbajtjes etj që lidhen me situata post-emergjencë. Do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet”, tha kryeministri.
