Një tjetër konflikt i lidhur me replikat në TikTok ka rezultuar në një plagosje me armë zjarri, këtë herë në Kamëz. Mbrëmjen e së mërkurës, policia e Kamzës ka arrestuar 36-vjeçarin Fatmir Frroku, i cili akuzohet për plagosjen e të riut Mariglen Jata, pas një debati në një ‘live’ TikTok që ka ndodhur rreth tre javë më parë.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, Frroku është akuzuar për “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë, si dhe për “Mbajtje pa leje dhe prodhimi armësh dhe municioni”. Konflikti mes Frrokut dhe Jatës, të cilët dikur ishin miq, shpërtheu për shkak të një grindjeje në rrjetet sociale dhe kulmoi me përdorimin e një pistoletë.

Përveç Frrokut, janë arrestuar dhe dy bashkëpunëtorë të tij, Izet Leka dhe Marsildo Ndoja. Leka ndihmoi Frrokun të largohej nga vendngjarja pas kryerjes së krimit, ndërsa Ndoja ishte i shoqëruar me të në momentin e ndalimit.

Ky është vetëm një nga një seri incidentesh të lidhura me konflikte të cilat kanë burim replikat dhe grindjet në rrjetet sociale. Në Tiranë, një tjetër ngjarje e dhunshme ka ndodhur ditët e fundit, ku një 26-vjeçar, i njohur në rrjetet sociale si “gjaknxehti”, është dhunuar me sende të forta. Po ashtu, në Durrës, një i ri i njohur me emrin “GUCCI” është plagosur me armë zjarri në krah. Të dy këto ngjarje janë të lidhura me konflikte banale të nxitura nga diskutimet dhe replikat online.