Presidenti Bajram Begaj i ka dorëzuar sot kryeministrit Edi Rama dekretin për formimin e qeverisë së re.

Kështu, pasi dje u prezantua kabineti, qeveria “Rama 4” është gati për të nisur punën për premtimet dhe reformat e deklaruar. Po cilat janë disa nga premtimet e bëra nga Rama gjatë fushatës për mandatin e katërt?

Ndër vendimet e premtuara edhe më herët do të jetë rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, nga 40 mijë që është sot. Ky vendim do të nisë të zbatohet nga 1 janari 2026.

Për pensionistët nga ana tjetër, po përgatitet dokumenti i ri, që i hap rrugë rritjes së pensioneve dhe përfitimeve më të drejta. Ky dokument, i cili po përgatitet në bashkëpunim me Bankën Botërore, synon që deri në vitin 2029 të rrisë pensionin minimal në 20 mijë lekë dhe ta çojë pensionin mesatar në 40 mijë lekë.

Një tjetër vendim me qasje sociale lidhet me nxitjen e lindshmërisë, ku prej 6 vitesh aplikohet bonusi i bebes, por që nuk ka dhënë efekte pozitive në demografi. Për foshnjat e lindura, nga janari 2026, bonusi do të rritet për fëmijën e parë nga 40 mijë lekë në 300 mijë lekë, ndërsa një përshkallëzim i ngjashëm do të prekë edhe fëmijën e dytë e të tretë. Për këta të fundit, bonusi i plotë do të jetë 420 mijë dhe 600 mijë lekë. Shuma nuk do të dhurohet në një çek të vetëm, por do të jetë e përmujashme, deri kur fëmija të mbushë 5 vjeç.

Një tjetër premtim i madh dhe i guximshëm ka qenë ai për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Duke nisur nga fakti se ky proces nuk varet plotësisht nga qeveria, duhet theksuar se mandati i Ramës përfundon në vitin 2029.

Mbetet për t’u parë se cilat nga premtimet do të mbahen, apo dhe deri në çfarë niveli do të zbatohen.