Në orët e para të mëngjesit të sotëm, autostrada Durrës–Tiranë u shndërrua në skenë për një ndjekje të rrezikshme mes policisë dhe dy të rinjve, Ardit Domi dhe Leonard Çali.
Rreth orës 01:00, në zonën e “Çifligut”, një patrullë policie konstatoi një automjet të vjedhur më 20 gusht. I njëjti mjet ishte përdorur një ditë më pas për grabitjen e një karburanti në Sukth, nga ku autorët kishin marrë të ardhurat ditore.
Pasi u urdhëruan të ndalonin, dy të rinjtë zgjodhën të largoheshin me shpejtësi, duke nisur ndjekjen. Në Vorë, makina doli nga rruga, por Domi dhe Çali vijuan rezistencën e tyre, duke hapur zjarr – dyshohet me kallashnikov – ndaj efektivëve. Përballë këtij rreziku, policia u kundërpërgjigj me armë.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, Ardit Domi mbeti i plagosur, ndërsa Leonard Çali u neutralizua dhe u arrestua në vendngjarje.
