Nevzat Spaho alias “Nevi” që konsiderohet si i “forti” i Prrenjasit dhe që tashmë është arrestuar për vrasjen e Mondi Mëhallës në Elbasan, rezulton të jetë liruar nga burgu i Fierit në muajin Shkurt 2025.

Gazetari Elton Qyno ka shfletuar dosjet penale të tij, ku ka rezultuar se Nevi Spaho, është liruar nga qelia në muajin Shkurt 2025.

Dhe 9 muaj nga lirimi nga burgu ai është përfshirë në vrasjen me pagesë të Mondi Mëhallës, ngjarje kjo e ndodhur në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan.

Sipas dokumentave, rezulton se Nevzat Spaho ka qënë në burg nga viti 2018 deri në 2021 për akuzën e “Vrasjes” së mbetur në tentativë. Spaho konsiderohet si person me precedent penalë.

Por teksa vuante këtë dënim në ambjentet e burgut të Fierit, ai përfshihet në një plagosje tjetër brenda burgut. Për këtë krim ai është dënuar me 666 mijë lekë të vjetra gjobë.

Sipas dosjes hetimore në datën 25 korrik 2021, ka rezultuar se rreth orës 17:05, në Godinën C, Sektori nr. 2, Dhoma nr. 6, i dënuari Ilir Meronianaki është konfliktuar me të dënuarit Nevzat Spaho dhe Florent Kodhelaj. Në këtë konflikt ka mbeturi dëmtuar në pjesën e syrit, i dënuari Ilir Meronianaki.

Me process-verbalin e datës 26 korrik 2021, është pasqyruar këqyrja dhe marrja e tre raporteve që kanë lidhje me këtë ngjarje. Mbi bazën e pretendimeve të të dënuarit Ilir Meronianaki, është kërkuar ekzaminimi i tij nga eksperti mjeko-ligjor.

Nga shpjegimet e Ilir Meronianaki rezulton se, më 25 korrik 2021, rreth orës 17:00, ka qenë në dhomën e vet. Ka shkuar polici i regjimit, i cili i ka thënë se të dënuarit Nevzat Spaho dhe Florent Kodhelaj, kërkonin të pinin kafenë dhomën e tij.

Ka pranuar kërkesën e tyre dhe i ka lejuar që të hynin në dhomë,ku kanë qëndruar rreth 10 minuta. Në momentin që ata do të dilnin nga dhoma,kanë filluar të ushtronin dhunë fizike ndaj tij, duke e goditur me grushta, në prani të policit, dhe për pasojë i kanë shkaktuar dëmtime trupore.

Ndërkohë për herë të fundit në burg Nevzat Spaho, ka qënë për një dënim të marë për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marjen e pasurisë”.

Kjo pasi sapo doli nga burgu ai filloi të vendosë gjoba ndaj personave të ndryshëm dhe mjaftoi një kallëzim penal në polici, që Nevzati në vitin 2022 të fillojë problemet me drejtësinë sërisht.

Arrestimi i tij është kryer në 2023 për dy akuza si gjobëvënia 3 mijë euro dhe mbajtja pa lejë e armëve të zjarrit. Por për shkak se gjatë hetimeve arma e përdorur nga Nevzat Spaho, nuk u arrit të gjendej nga policia, kjo akuzë është pushuar nga prokurori, Hektor Mushi.

Ndërkohë i pandehuri Nevzat Spaho, është dënuar vetëm për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marjen e pasurisë” pasi ka kërkuar ti marë 3 mijë euro qytetarit Shefit Dashi.

Sipas dosjes hetimore rezulton se në ambjentet e Drejtorisë Vendore te Policise Elbasan është paraqitur dhe ka depozituar kallëzim Shefit Dashi i cili ka kallezuar se:

“…në datë 17 Tetor 2022 rreth orës 19:30 e ka telefonuar në numrin e tij të telefonit 069323XXX, Nevzat Spaho, të cilit i thërrasin “Nevi” dhe është nga Prrenjasi. “Nevi” e ka telefonuar nga numri 068450XXXX. Shefiti dhe “Nevi” janë takuar rreth ores 21:25 dhe Shefiti ka hipur ne makinën e “Nevit”, e cila ishte tip “Jeep” me ngjyrë të zezë. Kur kanë qënë duke bërë xhiro me makinë “Nevi” e ka goditur Shefitin dhe i ka drejtuar një armë në kokë. Më pas ka hapur xhamin e automjetit dhe ka qëlluar një herë me armë në ajër. Edhe pas këtij episodi “Nevi” i ka kërkuar Shefitit që deri në datë 18 Tetor 2022 t’i japë 3 mijë Euro ose do ta vrasë. Ai ka vazhduar ta kërcënoje e t’i kërkojë paratë me mesazhe në Ëhatsapp…”.

Nga këqyrja e bisedave ndërmjet këtyre 2 personave ka rezultuar se konflikti ndërmjet tyre është bërë për shkak të një loje që ata luanin online dhe se Nevi Spaho ,nëpërmjet fjalëve kërcënuese ka kërkuar nga Shefit Dashi që ti japë paratë, që sipas tij i takojnë.

Në 23 Nëntor 2022 gjykata e Elbasanit ka miratuar kontrollet e banesës me qëllim arrestimin e Nevi Spahos, por ky i fundit nuk është gjendur në banesë pasi ishte larguar në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe më pas kishte shkuar në Austri dhe në fund në Itali, ku ishte vendosur në qytetin e Veronës.

Më pas Nevi Spaho, është arrestur dhe gjykuar duke u dënuar me burg vetëm për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Por vetëm 9 muaj nga përfundimi i këtij dënimi i “forti” i Prenjasit Nevzat Spaho, u përfshi në një vrasje me pagesë ndaj Mondi Mëhallës, për të cilën ai është arrestuar tashmë.