Këshilli i Ministrave mori disa vendime gjatë ditës së sotme, mes tyre dhe emërime të reja dhe lirime nga detyra. Këshilli i Ministrave ka liruar nga detyra dy Prefektët e Qarkut të Durrësit dhe Korçës. Në Durrës ikën prefekti Emiljan Jani dhe në vend të tij qeveria ka emëruar Adrian Gurra. Ndërkohë, në Korçë është liruar nga detyra Prefekti Nertil Jole dhe në vend të tij emërohet Florinda Zegullaj.
Njoftimi:
Këshilli i Ministrave vendosi:
– Miratimin e financimit të shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026.
– Përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shpërndarjes së grantit për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, Komitetin Paralimpik Kombëtar Shqiptar; Organizatën Kombëtare Antidoping; Federatat sportive olimpike; Fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit;
*Ky vendim ka si objekt përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të shpërndarjes së grantit nga buxheti i shtetit, në formë transferte, për organizatat sportive, si më poshtë vijon:
a) Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar;
b) Komitetin Paralimpik Kombëtar Shqiptar;
c) Organizatën Kombëtare Antidoping;
ç) Federatat sportive olimpike;
d) Fondacionet sportive, me themelues institucionet publike përgjegjëse në fushën e sportit;
dh) Këshillin e Arbitrazhit Sportiv.
– Vendim për planin vjetor të pranimit për vitin 2026 në institucionet e Administratës Shtetërore, pjesë të Shërbimit Civil
*Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2026 është gjithsej 1067 (një mijë e gjashtëdhjetë e shtatë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues 11;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 99;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 205;
ç) Për kategorinë ekzekutive 752.
– Vendim për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë:
– Dibër
– Memaliaj
– Tepelenë
– Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike eolike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në njësinë administrative Mollaj, Bashkia Korçë, Qarku Korçë, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER”, sh.p.k., “FAVINA”, sh.p.k., dhe “FAVINA 1”, sh.p.k., me elementet, si më poshtë vijon:
– Miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në Vlashaj, njësia administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër, nga shoqëria “GERTI”, sh.p.k.,
Njëherësh u miratuan dhe emërime dhe lirime nga detyra të disa funksionarëve në institucione shtetërore:
– Z. Erlind Sulo emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
– Z. Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, lirohet nga kjo detyrë.
– Z. Emiljan Jani, prefekt i Qarkut të Durrësit, lirohet nga kjo detyrë.
– Z. Adrian Gurra emërohet prefekt i Qarkut të Durrësit.
– Z. Nertil Jole, prefekt i Qarkut të Korçës, lirohet nga kjo detyrë.
– Znj. Florinda Zegullaj emërohet prefekt i Qarkut të Korçës.
– Z. Shkëlqim Hajdari, inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, lirohet nga kjo detyrë.



