Gjykata e Vlorës ka vendosur këtë të enjte masat e sigurisë për katër personat e arrestuar disa ditë më parë në Orikum, së bashku me 42-vjeçarin Flodian Plaku, i cili ishte në kërkim dhe u kap në një hotel të zonës.
Sipas vendimit të gjykatës:
Albano Lapshi, i cili dyshohet se i çonte ushqim Flodian Plakut në hotel, është lënë në arrest me burg.
Julian Aliaj, që u kap me armë zjarri me vete dhe ka precedentë penalë për trafik droge, është gjithashtu në arrest me burg.
Ligor Doko, pronari i hotelit ku fshihej Plaku, është lënë në arrest me burg.
Armando Dano, i njohur si “Berberi” dhe me origjinë nga Shkodra, është lënë me masën detyrim paraqitje.
Flodian Plaku u arrestua pas afro dy muajsh nën vëzhgim nga policia. Ai po fshihej në një hotel në Orikum, ndërsa operacioni për ndalimin e tij u realizua në momentin kur po i dërgohej ushqimi nga Albano Lapshi dhe po i shkonte berberi, Armando Dano.
Të ndaluarit akuzohen për ndihmë dhe strehim të një personi në kërkim dhe për armëmbajtje pa leje, në rastin e Julian Aliajt. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe rolin e secilit në përkrahjen e Flodian Plakut.
