Kryeministri Edi Rama, ka ndarë mëngjesin e kësaj të diele një mesazh në rrjetin social Facebook, të shoqëruar me një videokartolinë nga mbledhja e zgjeruar mujore e qeverisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Kreu i qeverisë bën me dije se gjatë këtij takimi është zhvilluar një dëgjesë institucionale me drejtuesen e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës, ku është diskutuar ecuria e reformës në kadastër, një nga proceset kyçe për administrimin e pronave në vend.
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ka qenë edhe reforma administrative territoriale, ku është bashkëbiseduar me kryetarin e komisionit përkatës mbi skenarët e mundshëm të kësaj reforme.
Në fokus të mbledhjes ka qenë edhe kalendari kombëtar i aktiviteteve, si dhe përmbajtja e takimeve të titulluara “Punët e Shqipërisë”, që sipas Ramës synojnë angazhimin më të gjerë publik.
“Mirëmëngjes dhe me videokartolinën e mbledhjes së zgjeruar mujore të qeverisë dhe Grupit Parlamentar Socialist, ku u krye një dëgjesë institucionale me Drejtoren e ASHK për ecurinë e reformës në kadastër; u bashkëbisedua me kryetarin e Komisionit të Reformës Administrative Territoriale për skenarët e reformës, si edhe u diskutua kalendari kombëtar dhe përmbajtja e takimeve “Punët e Shqipërisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
