Studiuesi i njohur Auron Tare ka reaguar ashpër pas ndërhyrjeve të kryera nga Bashkia Peqin në një pjesë të rrugës historike Via Egnatia, duke e quajtur këtë veprim “masakër ndaj Trashëgimisë Kulturore Kombëtare”.

Në një postim publik, Tare i drejtohet kryeministrit duke i kërkuar të ndërhyjë urgjentisht për të ndalur shkatërrimin:
“Z. Kryeministër, vini dorë ju lutem… Trashëgimia jonë Kombëtare nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë. Via Egnatia nuk mund të përfundojë e mbytur me asfaltin e injorancës.”

Tare kujton rëndësinë historike të kësaj rruge, një nga 10 arteriet më të mëdha të civilizimit europian, ku kanë kaluar legjionet romake, perandorët, kryqëzatat, sulltanët otomanë dhe ku kanë udhëtuar etërit e Kishës.

“Fqinjët tanë e ruajnë me fanatizëm trashëgiminë e tyre,” – shkruan Tare, duke sjellë shembuj nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia që e mbrojnë dhe restaurojnë pjesët e Via Egnatia dhe motrës së saj, Via Apia.

Ai paralajmëron se Europa do të shohë Shqipërinë me përbuzje nëse vijon ky trajtim i papërgjegjshëm i pasurisë historike.