Zbardhen detaje të reja mbi thirrjen në SPAK, të Lulzim Bashës.

Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar se Basha është paraqitur si person në dijeni për dosjen e “21 Janarit” që po hetohet nga SPAK.

Sipas Lalës, Basha është paraqitur mbi bazën e një fletëthirrje të firmosur nga prokurori Alfred Shehu i cili po heton ngjarjet e dhunshme të 21 janarit ku u zhvillua demonstrata e udhëhequr nga opozita e asaj kohe drejtuar nga Edi Rama dhe ku humbën jetën 4 persona në Bulevard.

“Në kohën që ka ndodhur ngjarja, Basha mbante detyrën e ministrit të brendshëm, në atë kohë ndodhej në ambientet  e kryeministrisë ku garda e Republikës hapën zjarr mbi demonstruesit duke vrarë 4 prej tyre.

Për shkak të rifillimit të hetimeve, mbi bazën e të dhënave të ardhura nga SHBA që kanë të bëjnë me disa materiale audio të depozituara më pas nga gazetari Artan Hoxha dhe xhaxhai i viktimës Aleks Nika, SPAK ka regjistruar procedimin penal dhe është duke hetuar mbi rolin e zyrtarëve të lartë në demonstratën e dhunshme të asaj kohe.

Basha është pyetur dhe më herët nga prokuroria e Tiranës.

Në 2020 Prokuroria rihapi hetimet dhe kërkoi aktekspertizë për predhën e nxjerrë në Turqi nga trupi i Aleks Nikës dhe më pas mbi bazën e të dhënave të reja, Prokuroria e rihapi këtë cështje, ku ka vetëm 2 të dënuar, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo që i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë shqiptare.