Një personazh i njohur në rrjetin social “Tik-Tok”, Fabion Kuçi, i njohur ndryshe edhe si ‘GUCCI’, mbeti i plagosur mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit. Sipas policisë vendore, autori i dyshuar është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij, ndërsa i plagosuri ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Gucci” ka pohuar se me autorin e plagosjes, ishte zënë pas sharjeve në rrjetet sociale. Fabion Kuçi rezulton me precedentë penalë jashtë Shqipërisë. Ai ka vuajtur dënim me burg në Angli dhe është rikthyer në Shqipëri disa muaj më parë. Pas kthimit, ai u bë mjaft aktiv në platformën Tik-Tok, ku shpesh përfshihej në debate dhe përplasje virtuale me figura të tjera të njohura të rrjetit, si Kozak Braçi dhe Xhemal Ujka, i njohur si “Fire”.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak /Më datë 15.12.2025, rreth orës 23:40, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 9, dyshohet se është plagosur me armë zjarri, shtetasi F. K., 33 vjeç, i cili ka marrë asistencë mjekësore dhe është larguar nga spitali, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë identifikuar autorin e plagosjes, gjenealitetet e të cilit nuk bëhen të njohura, për të mos cenuar vijimin e hetimeve. Punohet intensivisht për kapjen e autorit, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, një grup i posaçëm hetimor po punon për të sqaruar dhe dokumentuar rrethanat e rastit.




