Ervin Mata, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua sot në Brazil pas një sërë akuzash të ngritura kundër tij. Emri i Ervin Matës, i njohur dhe si “boli i kokainës”, u lakua publikisht për herë të parë mbrëmjen e 4 tetorit 2018, për masakrën e ndodhur në ish-Bllok.
Konflikti ndodhi teksa në lokal ishin Ervis Martinaj dhe Eljon Hate, ky i fundit i njohur edhe me emrin Esmeraldo dhe 2 persona të tjerë të paidentifikuar, ndërsa diku më larg Ervin Mata, Fabio Alushi, Meviol Billo si dhe 2 të tjerë ende të paidentifikuar. Rreth orës 21:30 në lokal shkoi Fabian Gaxha truproja i Ervis Martinajt. Sapo e ka parë, Mata i ka kërkuar të sqarohen për një konflikt të mëparshëm.
Situata degradoi kur Fabiani u afrua dhe Mata e ka goditur disa herë me grusht duke e ulur në tokë. Më pas në ndihmë të Fabianit erdhën Ervis Martinaj dhe Eljon Hate. Ky ishte momenti kur nisi shkëmbimi i zjarrit mes palëve dhe çasti kur Meviol Bilo, një ekspert i armëve të zjarrit, qëlloi mbi grupin rival duke vrarë Fabian Gaxhan dhe duke plagosur Ervis Martinajn dhe Eljon Haten.
Mata u dorëzua në Komisariatin e Policisë, 5 muaj pasi ishte shpallur në kërkim për këtë ngjarje. Kur u pyet, ai tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës. Ai shtoi se ishte larguar nga frika. Vetëm dy ditë pas vetëdorëzimit, Gjykata e la me detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori, e cila kishte kërkuar ndaj tij arrest me burg. Mbi Matën u ngritën akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Nga ana tjetër, në vitin 2023 Mata u shpall në kërkim si pjesë e grupit kriminal prej 11 personash, mes tyre ish-kryepolici Erzen Breçani, që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Mata në të njëjtën kohë, është lidhje krushqie me Erzen Breçanin, të cilit i ka dhënë motrën për djalin e madh. Djali i Breçanit dyshohet se ishte pjesë e grupit të Matës, për kryerjen e trafiqeve të lëndëve narkotike.
Sipas SPAK, grupi kriminal dyshohet se ka lidhje me disa episode të trafikimit të lëndeve narkotike nga vendet e Amerikës Latine drejt shteteve të Europës. Po ashtu, grupi kriminal ku ai bënte pjesë, dyshohet edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.

