Kjo e hënë ka nisur me zhvillime sa i përket politikës, teksa kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime teknike në Qeveri.
Nëpërmjet disa postimeve në Twitter , Rama njoftoi se Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv/kryeministër i vendit, dhe se do të zëvendësohet nga Belinda Balluku, e cila deri më tani ka mbajtur postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre.”, shkruan Rama, ndërsa po ashtu ka njoftuar dhe shkarkimin e diplomatit Zef Mazi, pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Mazi do të zëvendësohet nga Majlinda Dhuka në postin e kryenegociatorit me BE-në, ndërsa ajo do të jetë dhe Ministre e Shtetit pranë kryeministrit.
“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore&Ministre Shteti pranë kryeministrit.
Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon.”- shkruan Rama.
Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE,ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka,një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit. pic.twitter.com/giUZ0HHXEt
— Edi Rama (@ediramaal) July 25, 2022