Këtë të diel, në “Rrethi Katror” në “E Diell”, u trajtuan disa tema aktuale të javës që lamë pas.

Alfred Cako u ndal te shkarkimi i Erion Veliajt nga Bashkia e Tiranës. Ai e lidhi këtë me historinë e krijimit të Partisë Socialiste, kur tha se Partia Komuniste, dhe më pas ajo e Punës, në lidership nuk kanë vendosur asnjëherë katolikë apo njerëz nga veriu, por myslimanë, dhe se këtë trashëgimi duan ta vazhdojnë.

“Që të marrim në shqyrtim momentin e tanishëm, duhet të shohim lidershipin e Partisë Komuniste, të Punës, dhe sot të PS-së. Kryesisht, angazhimin e ka pasur në jug kjo parti, asnjë katolik s’ka qenë në nivelet e larta të PS-së. Është goditur Veliaj edhe për shkak se filloi të ‘hante më shumë sesa e kishte fytin’. Ndoshta ishte përgatitur që PS të humbiste zgjedhjet më 11 maj, dhe ai të merrte drejtimin e partisë”, tha Cako.

Por këto deklarata të Cakos u kundërshtuan nga Bledi Mane.

“Pas edicionit informativ të Radio Moskës, ju flet Radio Tirana. Grupi komunist i Shkodrës kishte tre themelues kryesorë: Zef Mala, katolik; Vasil Shanto, ortodoks; dhe Qemal Stafa, sunit. Pra, mos akuzojmë kot që e kanë themeluar myslimanët. Veliaj është i deklaruar i krishterë, falë Kishës shkoi me studime në Amerikë”;, tha Mane.

Ndërkohë analistët u ndalën dhe te një çështje tjetër e aktualitetit, njohjen e Palestinës nga Franca dhe Britania.

“Familja e njohur që e krijuan Izraelin, Rothschild, më duket sikur nuk po e përkrahin më Izraelin. Amerika nuk merr dot vendime kundër interesave të Izraelit sepse dhe kongresin dhe Senatin e dominojnë njerëzit e Izraelit. Izraeli ka vënë dy herë me shpatulla pas murit Trump, kur nisi sulmin mbi Iranin dhe kur u godit Katari. Është një rebus iu madh që s’po di si ta përkthej. Këto njohje janë pa frute. Unë jam me popullin e Palestinës, jam kundër gjenocidit që po bën Izraeli kundër Palestinës”, tha Cako.

Nga ana tjetër Mane thotë se “Leksioni i Gazës është një kambanë e fortë alarmi për vende të vogla si Shqipëria dhe Kosova”.

“Për vende të tilla që kanë ushtri modeste dhe nuk e mbrojnë dot territorin e vendit të tyre. Pa një superfuqi në krahë as Shqipëria dhe as Kosova nuk  bëjnë “Gëk Mëk” në arenën ndërkombëtare. Imagjino sikur mbi qiellin e Shqipërisë të vinin 5 dronë rus siç i kanë vajtur vendeve Baltike. Imagjino sikur 5 dronë të dërgonte Irani, jemi i vetmi vend i NATO-s që nuk kemi flotë ajrore, 3 helikopterë kemi, as zjarret nuk shuajmë. Nuk i përballojmë dot superfuqi si Rusia, Kina apo SHBA, Ndaj edhe Kosova pa një superfuqi në krah s’ka ca të bëjë”, tha ai.

Top Channel