Erion Braçe ishte i ftuar sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku foli për zhvillimet e fundit në politikë.
Duke u ndalur tek mbledhja e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Erion Veliajt, ai tha se nuk është aspak ditë normale, pasi ndodh për herë të parë. Ai shtoi se kjo çështje duhet të zgjidhej brenda partisë Socialiste. Sa i përket kandidimit të Manastirliut për të pasuar Veliajn, Braçe tha se u diskutua në asamble.
“Ditë e zakonshme nuk është. Kjo ndodh për herë të parë. Do ngelet në histori si precedent. Çështja e votës është personale. Vërejta ime për atë që ka ndodhur deri më tani është se kjo është çështje e brendshme e partisë dhe duhej të ngelej brenda. Mendoj që duhet të kishte vendimmarrje të brendshme. U bë më shumë publik se çfarë i takon.
Emri i Manastirliut u diskutua në asamblenë e PS. Nuk ka vlerë të diskutohet më, në një garë do bësh gjithçka për të fituar. Është bërë një proces i tërë për të përcaktuar emrin, ashtu siç u bë për emrat e deputetëve. Përfshiu të gjitha strukturat e PS. Tani emri është vendosur, presim të hyjmë në garë, nuk ka vlerë të diskutohet. Pavarësisht të gjithave, emri është aty.”- tha Braçe.