Autoritetet italiane kanë çmontuar një organizatë kriminale me lidhje shqiptare, e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, pas një operacioni të koduar “Rondò”. Operacioni u zhvillua në disa zona të Italisë qendrore dhe jugore dhe rezultoi me 20 persona nën masa sigurie, prej të cilëve 7 u arrestuan, ndërsa të tjerët hetohen në gjendje të lirë me masa më të lehta.

Hetimet, që zgjatën mbi një vit, zbuluan një rrjet të strukturuar të trafikimit të kokainës dhe heroinës. Baza operative e grupit ishte në zonën e Montesilvano, ndërsa droga trafikohej nga Shqipëria drejt Barit dhe më pas shpërndahej në rajonin e Abrucos. Kokaina vinte nga Italia veriore, ndërsa heroina sigurohej nga zona e Foggias dhe transportohej përmes korrierëve nga San Severo drejt Abrucos.

Në qendër të hetimeve ishin dy shtetas shqiptarë, të cilët konsiderohen figurat kryesore të organizatës. Sipas autoriteteve, njëri merrej kryesisht me trafikun e kokainës, ndërsa tjetri me heroinën. Njëri prej tyre kishte edhe aktivitete tregtare në Montesilvano, të cilat dyshohet se shërbenin si mbulim për aktivitetin kriminal. Gruaja e njërit prej dyshuarve, me origjinë nga Foggia, kishte kontakte direkte me furnizuesit e heroinës.

Një tjetër shtetas shqiptar, i besuar i dy drejtuesve, ishte përgjegjës për transportin dhe dorëzimin e blloqeve të drogës tek trafikantë të tjerë të mëdhenj në zonën e Pescara.

Operacioni “Rondò” tregon përpjekjet e autoriteteve italiane për të goditur rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe lidhjet e tyre me kanalet shqiptare dhe italiane.