Pesë muaj më parë, në “Exclusive”-n e gazetares Anila Hoxha në Top Channel, u trajtua historia e 17 fëmijëve shqiptarë të mbetur prej vitesh në kampet e Sirisë. Disa prej tyre kishin lindur atje, ndërsa disa të tjerë ishin marrë nga prindërit e tyre drejt zonave të luftës, për t’iu bashkuar ISIS-it.

Lajmi i mirë është se mbrëmjen e kaluar u riatdhesuan tre prej tyre, si dhe dy të rritur. Mes tyre ishte edhe Hajrie Taushani, 79 vjeçe, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë për t’u kujdesur për dy nipërit e saj, Abdulla dhe Hafsa, të mbetur jetimë atje. Por kthimi i tyre nuk është kapitulli i fundit. Në kampet siriane, pa llogaritur të rriturit që ndodhen në burgje, mbeten ende 14 fëmijë shqiptarë.

“Exclusive” për “Fëmijët e xhihadit” u nis me historinë e Jusra Shulit, e sapolindur në atë kohë dhe që u mor nga prindërit drejt luftës, bashkë me dy të miturat Erma dhe Elona. Prindërit e tyre u vranë dhe gjyshërit në Pogradec përgjërohen prej vitesh për kthimin e 5 fëmijëve, dy prej të cilëve kanë lindur në Siri.

Ndryshe nga Dilaveri, që ndërroi jetë me një amanet që s’do ta tresë as dheu, e moshuara Hajrie u kthye gjallë. Pikërisht me rastin e saj u mbyll “Exclusive”, me Anila Hoxhën, që shprehet:

“Dhe derisa të gjithë fëmijët të kthehen, veç përpjekjeve që përfshijnë çdo mënyrë, një gjyshe tjetër është zhvendosur në Siri. Ajo quhet Hajrie Taushani, nipat e saj quhen Abdulla dhe Hafsa.”

Dhe, në fakt, kthimi i tyre në atdhe nuk është kapitulli i fundit. Një nga historitë që mbetet në kujtesë është ajo e Abdiut, i cili la shkollën në Tiranë në moshën 8-vjeçare dhe udhëtoi së bashku me të ëmën dhe vëllain drejt luftimeve në Siri.

“Nuk kisha dijeni se ku po shkoja. Fëmijëve nuk u jep kush përgjigje, supozohet se ndjek prindërit. Atje kishte lloj-lloj ushtrish, luftëra mes tyre. Po shkove atje, burrat luftojnë dhe babai, domethënë, doli në mëngjes bashkë me ushtrinë edhe u kthye në drekë, nga pasditja. Pastaj na thanë që ndërroi jetë, ishte vrarë në luftime”, ka rrëfyer ai.

Sipas rrëfimit të tij, nëna u martua më pas me një tjetër luftëtar, lindi fëmijë të tjerë në Siri, ndërsa edhe burri i dytë u vra. Në tentativat për të dalë nga ferri, gruaja dhe fëmijët kaluan në çdo shteg ekstrem rreziqesh. Por, teksa po i afrohej moshës 14-vjeçare, Abdiu u shkëput nga nëna dhe u çua në luftime.

Më pas Abdiu përfundoi në burgje dhe prej andej u riatdhesua si kosovar, derisa shteti bëri të mundur tërheqjen e tij në Tiranë. Pa nënën, vëllezërit, motrën dhe babain, fëmija u dërgua në kampin e Durrësit, ku, sipas programeve, iu nënshtrua çindoktrinimit. E njëjta platformë ndiqet për këdo që ishte në luftë, u ekstremizua ose e pa nga afër luftën. Abdiu rinisi shkollën, mësoi një zanat dhe po përpiqet t’ia dalë në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër e familjes vazhdon endjen nëpër rrathët e ferrit.

Në Shqipëri, si ai, edhe gratë e riatdhesuara me fëmijët, disa prej të cilave janë dënuar me shërbim prove për akuzën e pjesëmarrjes në organizatë terroriste dhe që kanë lindur fëmijë në Siri me burra që u vranë atje, i janë drejtuar gjykatës për njohjen e mëmësisë. Gjykata në Tiranë ka urdhëruar marrjen e ADN-së, pasi fëmijëve që këto gra sollën në Shqipëri duhet t’u njihet shkencërisht njëri nga prindërit. Disa gra të riatdhesuara kanë kërkuar gjyqësisht shpalljen të vdekur të bashkëshortëve, duke dëshmuar vrasjen e tyre në luftime përkrah ISIS-it. Por, ndonëse shërbimet e huaja kanë konfirmuar vrasjen e tyre, do të duhen vite derisa ata të njihen fillimisht si të zhdukur e më pas të vdekur.

Për gratë e luftëtarëve të ISIS-it, kjo certifikatë gjykate duhet siguruar patjetër, për t’u dhënë atyre mundësinë të njihen si kryefamiljare dhe të kujdesen për aspektet e trashëgimisë. Për shtetin, e rëndësishme është çindoktrinimi dhe minimizimi i rrezikut për të indoktrinuar të tjerë. Për këtë shërben SHISH-i dhe Antiterrori. Nga ana tjetër, Shqipëria njeh si të vrarë në Siri 30 shqiptarë. Sakaq, dëshmitë e mbledhura nga Gjykata e Posaçme në Tiranë dhe shkresat e përcjella nga FBI-ja flasin për prova biometrike dhe emrat e shqiptarëve të burgosur si anëtarë të ISIS-it. Edhe dënimi i tyre së fundmi në mungesë nuk është kapitulli i fundit. Riatdhesimi i pesë shtetasve shqiptarë nga Siria hap një tjetër faqe të kësaj historie, por për familjet që ende kanë njerëz në kampet dhe burgjet siriane, procesi i kthimit vazhdon./ Top Channel