Mesazhi i Ramës për të tijtë ishte i qartë në mbledhjen e sotme, teksa fliste për zgjedhjet e ardhshme dhe sesi PS duhet t’i fitojë. Ai tha se tashmë “makineria elektorale e PS” nuk fiton më siç ka fituar duke mobilizuar mirënjohjen nga populli, por tani duhet që të transformohet duke iu përshtatur, siç Rama e quan, epokës së pritshmërive.

“Drejtuesit politikë që jemi këtu, drejtuesit e komisioneve parlamentare, grupi parlamentar, kabineti qeveritar, kryebashkiakët dhe i gjithë lidershipi i partisë në territore duhet të jetojë nga sot e tutje me sensin e përparësisë së përditshme. Në epokën e mungesave makineria jonë elektorale ka fituar se ka mobilizuar mirënjohjen për gjithçka është bërë, në epokën e pritshmërive kjo makineri duhet të bëjë transformim jetik sepse mirënjohja nuk është më një element kyç dhe përballja me një realitet të ri pritshmërive sapo ka filluar. Sot është krejt tjetër skena se po formësohet, për të gjithë ata faktorë që fola dhe detyra jonë është që jo ta mbrojmë makineritë nga çfarë ka rreth e jashtë saj, por ta shpëtojmë makinerinë nga vetvetja.

Pikërisht në këtë gjatësi vale kam shkruar dokumentin që keni para, tërësisht i hapur për shënimet e cilido prej jush. Empatia si angazhim për të ndërvepruar, nuk është dobësi, por forcë që asnjë algoritëm nuk e prodhon dot. Një njeri që të hap derën e hallit të vet të ka dhënë një gjë më të çmuar se vota, të ka dhënë besimin. Të ka lënë në dorë edhe dinjitetin. Halli i tij nuk është monedhë për kursin e këmbimit politik, solidariteti, partia dëgjon pa e pyetur me kë je, me kë ke qenë, çfarë ke bërë dikur, çfarë kahu politik të pëlqen, pa e pyetur për votën, për politikë. Se dera që hapet vetëm për tanët, është derë që mbyllet për të gjithë ne, kur them ne, për PS. Mos-përgjigja duhet të shpallet e ndaluar në PS”, tha kreu i qeverisë.