Ka hyrë në fuqi nga sot ndalimi i importit të mishit nga Brazili në Shqipëri, vendim i njoftuar më herët nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Masa është marrë pasi Brazili është hequr nga lista e vendeve të autorizuara nga Bashkimi Europian, ndërsa sipas autoriteteve, vendi nuk ka ofruar garanci të mjaftueshme për sigurinë lidhur me përdorimin e antibiotikëve dhe stimuluesve të rritjes te kafshët.
Ndalimi prek importin e mishit të shpendëve dhe gjedhit nga Brazili. Megjithatë, ngarkesat për të cilat janë lëshuar certifikata përpara datës 3 shtator do të lejohen të hyjnë në Shqipëri edhe nëse mbërrijnë pas hyrjes në fuqi të masës.
Brazili ka qenë prej më shumë se dy dekadash një nga furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me mish dhe nënprodukte. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës janar-qershor janë importuar rreth 23 mijë tonë mish, me një vlerë totale prej 46.3 milionë eurosh.
Rreth 34.6% e këtyre importeve kanë ardhur nga Brazili, duke e renditur këtë shtet në krye të listës së vendeve nga të cilat Shqipëria furnizohet me mish.
