Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se drejtuesi i qeverisë nuk mund të mbajë nën kontroll çdo veprim individual të vartësve dhe as të parashikojë momentin kur një zyrtar mund të vendosë të shkelë ligjin.

Në një videomesazh drejtuar qytetarëve, Rama tha se qëllimi i qeverisjes së tij nuk ka qenë garantimi se asnjë pjesëtar i administratës nuk do të përfshihet në shkelje, por ndërtimi i institucioneve që mund të veprojnë edhe ndaj njerëzve me pushtet.

Sipas tij, pikërisht lufta kundër pandëshkueshmërisë ka qenë një prej objektivave kryesore që ka shoqëruar projektin e tij politik.

“Premtova rilindjen e një Shqipërie të rrënuar dhe shtetbërjen, jo një qeverisje që askush s’do shkelë kurrë në dërrasë të kalbur dhe një administratë navëngjëlore. E mbi të gjitha, u zotova për fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm”, deklaroi Rama.

Kryeministri kundërshtoi gjithashtu pyetjet se si është e mundur që kreu i qeverisë të mos jetë në dijeni të veprimeve të paligjshme që mund të kryejnë persona nën varësinë e tij.

Sipas Ramës, çështja duhet parë nga një tjetër këndvështrim: një kryeministër nuk mund të dijë paraprakisht se çfarë mendon apo planifikon të bëjë një individ.

“Pyetja me vend nuk është: Si ka mundësi që të mos e dijë kryeministri? Por: Si mund ta dijë që vartësi i tij po mendon ta shkelë ligjin?”, u shpreh ai.

Rama argumentoi se kreu i qeverisë nuk mund të përgjojë zyrtarët apo të parashikojë sjelljen e tyre, duke shtuar se pikërisht për raste kur ligji shkelet duhet të ekzistojë një sistem drejtësie i aftë të veprojë në mënyrë të pavarur.

Në këtë kontekst, ai mbrojti reformën në drejtësi, duke thënë se vazhdon ta mbështesë atë edhe kur nuk është dakord me mënyrën se si institucionet e reja veprojnë në raste të caktuara.

Sipas Ramës, reforma mund të shfaqë edhe probleme apo vendimmarrje që ai i konsideron të gabuara, por kjo nuk ndryshon mbështetjen e tij për funksionimin e një drejtësie që duhet të veprojë pa dallim ndaj kujtdo që dyshohet se ka shkelur ligjin.