Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimin për grupin kriminal, i cili akuzohet për një sërë veprash penale. Bëhet fjalë për Ismail Zenelin, Bujar Ajetin, Adrian Cenajn (Dedja), Dedan Gjonin (ish-shefi i krimeve), Besmir Murtatin dhe Albert Prengën. Gjykata ka pranuar gjykim të shkurtuar për 7 të pandehurit, duke sjellë uljen me 1/3 të masës së dënimit për secilin prej tyre.
Ismail Zeneli është personi që kërkonte të vriste në bashkëpunim me Bujar Gërmizin, Dedan Gjonin dhe Nuredin Dumanin, dy vëllezërit Edmond dhe Albert Nela. Ndërsa, dy vëllezërit Nela dyshohet se në vitin 2013 në Britaninë e Madhe kishin vrarë Guximtar Sadrinë vëllain e Ismail Zenelit.
Ismail Zeneli përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi iu ul në 10 vite burg, që do e vuajë në burg të sigurisë së lartë.
Të pandehurit do të vuajnë dënimet në IEVP, burg i sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e arrestimit të tyre. Vendimet për secilin prej tyre përfshijnë kombinime të dënimeve për “Trafikim të narkotikëve”, “Sigurim të kushteve për të kryer vrasje” dhe pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal”.
Dënimet me gjykim të shkurtuar:
- Ismail Zeneli u shpall fajtor për disa vepra penale, përfshirë “Trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”. Në total, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ai u dënua me 10 vite burg, me vuajtje në një burg të sigurisë së lartë.
- Bujar Ajeti (Gremizi) u dënua për “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”. Gjykata e deklaroi të pafajshëm për një nga akuzat e armëmbajtjes. Pas uljes për gjykimin e shkurtuar, dënimi përfundimtar është 6 vite burg.
- Adrian Cenaj (Dedja) u shpall fajtor për “Sigurimi i kushteve për vrasje” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite burg.
- Dedan Gjoni – ish shefi i krimeve u dënua për “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”. Në total, duke përfituar ulje nga gjykimi i shkurtuar, ai u dënua me 8 vite burg.
- Besmir Murtati u shpall fajtor për “Trafikim narkotikësh” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, me një dënim përfundimtar prej 8 vite burg.
- Albert Prenga u dënua për të njëjtat dy vepra penale si Murtati, duke përfunduar me 8 vite burg.


