Opozita protestoi për rreth tre orë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përpara godinës së Kuvendit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kjo e fundit është nën hetim nga SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e saj për disa çështje të dyshuara për afera.

Me pankarta dhe banderola në duar, protestuesit adresuan akuza për korrupsion dhe keqmenaxhim, duke përmendur projekte si tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe. Në planin politik, opozita kërkoi dorëheqjen e qeverisë dhe ngritjen e një qeverie teknike.

Gjatë fjalimit para mbështetësve, Sali Berisha e krahasoi situatën aktuale me periudha të errëta të së kaluarës komuniste, duke akuzuar mazhorancën për kapje të institucioneve dhe manipulim të zgjedhjeve.

Pas përfundimit të fjalës së tij, protesta u shoqërua me tensione. Një grup protestuesish hodhën mjete shpërthyese artizanale dhe fishekzjarrë në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e turmës. Përplasjet vijuan edhe pranë Kuvendit, ku disa mjete policie u përfshinë nga flakët.

Tensione pati edhe në zonën e Rrugës së Elbasanit, pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku u përdor gaz lotsjellës në momentin kur besimtarët po falnin namazin. Si pasojë e incidenteve, disa persona mbetën të lënduar. Një i ri u dërgua në spitalin e Traumës pas një dëmtimi në kokë, ndërsa nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, mori mjekim në QSUT për djegie në dorë.

Pas ngjarjeve, Berisha deklaroi nga selia e PD-së se policia do të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj dhe paralajmëroi një tjetër protestë. Ndërkohë, Gazment Bardhi bëri të ditur se mbi 40 persona janë shoqëruar nga policia pas incidenteve, ndërsa pati edhe përplasje verbale mes tij dhe efektivëve në terren.